Ndërmarrjet në pronësi të grave dhe pjestarëve të pakicave përballen me sfida unike, veçanërisht kur përpiqen të depërtojnë në tregje të reja. Pengesat që u shkaktojnë vështirësi përfshijnë burimet e kufizuara për investime në rritje të tregut, mungesa e fuqisë punëtore me shkathtësitë e duhura, dhe qasja e kufizuar në rrjete të biznesit. Aktiviteti i USAID-it Angazhimi Ekonomik Gjithpërfshirës përpiqet t’i adresojë këto sfida.
Një vlerësim i rishtë i USAID-it, i fokusuar në nevojat dhe potencialin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) nga aspekti i qasjes në zinxhirin e vlerës së tregut të Kosovës, identifikoi dy mundësi integrimi: integrimin në platformat e tregtisë elektronike apo e-tregtisë dhe në industrinë ushqimore me pakicë dhe atë të artikujve ushqimorë të paprocesuar (whole foods).
Përveç kësaj, aktiviteti adaptoi një strategji gjithpërfshirëse që përfshinte dhënien e asistencës së përshtatur dhe ofrimin e trajnimeve dhe burimeve për fuqizimin e ndërmarrjeve në pronësi të grave dhe pjestarëve të pakicave. Kjo nismë fuqizuese ka hapur dyert për këto ndërmarrje, duke u mundësuar depërtimin në tregje paraprakisht të pashfrytëzuara.
Si rezultat i këtyre përpjekjeve janë lidhur 36 kontrata tregtare. Konkretisht, 24 biznese nënshkruan kontrata me Dyqani.com dhe GjirafaMall, të dyja platforma të e-tregtisë, duke çuar në rritjen e kërkesës, krijimin e një pranie online dhe zgjerimin e bazës së tyre të klientëve. Për më tepër, aktiviteti lehtësoi qasjen në treg duke vlerësuar nevojat e përfituesve, siguruar burime për kërkesat e zinxhirit të tregut, dhe duke lehtësuar lidhjen e 14 marrëveshjeve tregtare midis bizneseve të përzgjedhura dhe akterëve më të mëdhenj të tregut.
USAID-i vazhdon të punojë në drejtim të rritjes së qëndrueshmërisë afariste të ndërmarrësve në mesin e grave dhe pjestarëve të pakicave, duke i aftësuar për tejkalim të pengesave të ardhshme ekonomike dhe duke forcuar potencialin e tyre për rritje.