USAID-i avokon për gratë udhëheqëse të bizneseve gjatë Javës Globale të Ndërmarrësisë

Përkundër progresit të arritur tek gjeneratat e reja, gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me pengesa ndaj pjesmarrjes së tyre të plotë në fuqinë punëtore dhe në afarizëm. Meqë shumica e ndërmarrjeve në pronësi të grave janë të përqendruara në sektorin e shërbimeve, ato u prekën në masë të konsiderueshme nga pandemia COVID-19, gjë që u kufizoi atyre mundësitë për rritje. Këtë vit, aktivitetet në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë (JGN), të cilat mbështeten nga USAID-i, u fokusuan në rolin jetik të grave në nxitjen e rritjes së sektorit privat.

Java filloi me ngjarjen nikoqir i së cilës ishte aktiviteti i USAID-it Angazhimi Ekonomik Gjithpërfshirës, ku 53 bizneseve në pronësi të grave dhe pjestarëve të minoriteteve i’u akorduan grante në vlerën e përgjithshme prej 530,000 dollarë amerikan. Këto biznese, të cilat veprojnë në sektorët e bujqësisë, shtypit dhe botimeve, pastrimit komercial, tekstilit, arsimit, gastronomisë, dhe bukurisë dhe shëndetit, do t’i përdorin grantet për t’u bërë më konkurent dhe të rezistueshëm ndaj ndryshimeve. Kjo ngjarje ishte gjithashtu edhe një mundësi për 25 nga këto biznese që t’i promovojnë dhe shesin produktet dhe shërbimet e tyre.

“Ngjarjet si kjo janë shumë të rëndësishme sepse u mundësojnë klientëve t’i shohin produktet tona, të binden në cilësinë dhe të njoftohen me dizajnin e tyre, duke na ofruar njëkohësisht mundësinë për t’u rrjetëzuar me shitës me pakicë,” thekson Kujtesa Ibishi, një shitëse me pakicë online e qëndisjeve të punuara me dorë dhe produkteve të amvisërisë nga kompania Rahat.

Përveç kësaj, aktiviteti i USAID-it Angazhimi Ekonomik Gjithpërfshirës organizoi një ngjarje rajonale B2B (biznesi biznesit) të grave ndërmarrëse për t’u ofruar bizneseve nga rajoni një platformë që do t’u shërbente për të vendosur lidhje, krijuar partneritete dhe eksploruar tregje të reja përmes sesioneve të aranzhuara të çiftimit. Kjo ngjarje njëditore mblodhi së bashku rreth 250 gra ndërmarrëse dhe udhëheqëse të biznesit nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Share post:
Facebook
Twitter
LinkedIn