Prioritetet e identifikuara nga ana e komuniteteve janë në rend të parë qasja në rrugë e përcjellë nga punësimi, rryma, uji dhe shëndetësia. Ky perceptim përputhet me vlerësimet në lidhje me gjendjen e dobët të infrastrukturës në zonat rurale. Për shembull, “Plani për zhvillimin e Bujqësisë 2007-2013” tregon se prej 1496 fshatrave në Kosovë vetëm 40% kanë qasje me rrugë të asfaltuara, 41% kanë rrjet publik ose lokal të ujësjellësit, vetëm 10% kanë kanalizim dhe 13% kanë sistem për mbledhjen e mbeturinave, etj.
Sipas draftit të Planin Strategjik Zhvillimor të Kosovës (PSZHK), si një skenar zhvillimor parashihet një punë intensive në ndërtim të infrastrukturës, ose rehabilitim me llojllojshmëri të tipologjisë dhe madhësisë, duke pasur nevojë për forca të bashkuara të disa organizatave zhvillimore për zbatimin e punëve të përfshira. Puna e CDF do të mbështetë donatorët dhe qeverinë në këtë drejtim.
Iniciativë tjetër kyçe e PSZHK është zhvillimi dhe implementimi i një strategjie për ngritjen dhe fuqizimin e kompetencave të menaxhimit strategjik, si në nivelin nacional ashtu edhe në atë lokal. CDF do të përkrahë këto përpjekje me theks të posaçëm në ngritjen e kapaciteteve në drejtim të realizimit të programit qeveritar për decentralizim.
CDF synon të zhvillohet më tej duke u bazuar në një përvojë ekzistuese të mirëfilltë teknike dhe profesionale në zbatimin e projekteve komunitare, me kapacitet për të depërtuar në komunitetet më të izoluara e që kanë nevoja imediate. CDF ka gjithashtu ke i kushtuar kujdes të posaçëm promovimit të ndjenjës së pronësisë.
Përmes projekteve të veta, CDF synon ndërtimin e komuniteteve që kanë kapacitet për vetëzhvillim, duke qenë në gjendje t’i artikulojnë dhe t’i realizojnë nevojat zhvillimore të komunitetit si tërësi, por edhe të grupeve të caktuara brenda komunitetit. CDF do ta ndihmojë edhe pushtetin lokal, në mënyrë që të vihen në funksion mekanizma që ndihmojnë zhvillimin e komuniteteve. Parashihet që CDF ka kapacitet të realizojë projekte me vlerë rreth US$6 milion në vit.
Nëse ju intereson bashkëpunimi me CDF në sferat e aktiviteteve të organizatës, ju lutem mos hezitoni të na kontaktoni në zyrën tonë. Jemi gjithmonë të gatshëm të bashkëpunojmë më palë të interesuara në misionin tonë.
|