|
Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) është iniciativa e parë e Bankës Botërore në Kosovën e pas-konfliktit, i krijuar me qëllim që të ndihmojë komunitetet në rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar gjatë luftës dhe në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve. Fondi për Zhvillim Komunitar funksionon si organizatë joqeveritare vendore me status të përfituesit publik nga nëntori i vitit 2000. Me një fond prej 23.15 mil USD të siguruara nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, dhe 3.63 mil. USD të mbledhura nga komunitetet gjatë periudhës 2000-2006, CDF ka realizuar projekte nga të cilat kanë përfituar jo më shumë se 40% të qytetarëve të Kosovës. CDF njihet në Kosovë dhe më gjerë si një organizatë zhvillimore më të arritura të dukshme drejt synimit të zbutjes së varfërisë dhe përmirësimit të kushteve të jetës, si në zonat urbane ashtu edhe ato rurale, duke përfshirë serbët, komunitetet minoritare dhe të kthyerit. Suksesi është rezultat i zbatimit cilësor të tri llojeve të projekteve kosto efektive të cilat kanë dhënë kontribut të dukshëm zhvillimor në kushtet e jetës së popullatës kosovare:
- Projektet e promovimit të punësimit, sidomos në komunitete të varfra, të dëmtuara nga konflikti dhe ato malore, ku CDF ka dëshmuar një kapacitet të ndërhyjë dhe të angazhojë komunitetin në formulimin e projekt propozimeve relevante.
- Projekte të shërbimeve sociale për nevojat prioritare të grupeve të cenuara dhe të dëmtuara në Kosovë, si dhe
- Projekte të ngritjes së kapaciteteve institucionale në nivel të pushtetit lokal për të siguruar qëndrueshmëri të objekteve të ndërtuara ose të rindërtuara dhe për ngritjen e nivelit të ofrimit të shërbimeve.
Sot këto komunitete tani kanë ujë të pijshëm, shkolla të reja apo të rehabilituara, ambiente më të pastra dhe rrugë që i lidhin ato me komunitetet tjera. Standardet sociale dhe kulturore të popullatës gjithashtu janë përmirësuar si rezultat i shumëllojshmërisë së projekteve sociale, të dedikuar plotësimit të nevojave të personave me aftësi të kufizuara, problemeve të të rinjve dhe grupeve të ndryshme të margjinalizuara.
Së fundi, puna e CDF ka pasur ndikim posaçërisht në fuqizimin e interaksionit social dhe ka mundësuar stimulimin e të rinjve të vazhdojnë jetën në lokalitetet e tyre, dhe në këtë mënyrë ka parandaluar tendencën për migrim rural-urban. Avancim i vazhdueshëm është treguar edhe në ndërtimin e kapaciteteve institucionale të cilat do të sigurojnë kualitet dhe qëndrueshmëri të projekteve të realizuara. Në bashkëpunim me MEF, MAPL, MMPH MPMS, CDF ka realizuar projekte të ngritjes së kapaciteteve të identifikuara si prioritete dhe në përputhshmëri me proceset aktuale zhvillimore në Kosovë.
Të arriturat kryesore të CDF janë përvoja teknike dhe profesionale, kapaciteti për të depërtuar në vendet ku jetojnë komunitetet më të izoluara, aktivitetet zhvillimore, njohja e punës së shkëlqyer nga ana e pushtetit qendror me programet e ngritjes së kapaciteteve, dhe marrëdhëniet e mira me qeveri gjatë zbatimit të programeve të promovimit të punësimit në kuadër të kornizës zhvillimore të politikave dhe reformave të qeverisë.
Gjatë këtyre tetë viteve CDF ka themeluar edhe partneritete të qëndrueshme me OJQ vendore, organizata zhvillimore dhe me një numër të konsiderueshëm të donatorëve të jashtëm.
|